Ekonomia e Kinës u rrit në tremujorin e parë më fort se që pritej
Ekonomia e Kinës shënoi fillim më të fuqishëm të vitit se që pritej, edhe pse kriza në sektorin e pronave u thellua.
Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi vendës bruto u rrit për 5,3 për qind në tre muajt e parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton televizioni BBC.
Kjo shifër e rrëzoi parashikimin se ekonomia e dytë më e madhe në botë do të rritej për vetëm 4,6 për qind në çerekun e parë të vitit.
Në bazë të të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave, në tremujorin e parë u shënua dobësim i rritjes së shitjeve me pakicë, matëse kyçe e besimit të konsumatorëve, në 3,1 për qind.
Për të njëjtën periudhë, investimet në prona ranë në 9,5 për qind, duke i vënë në pah sfidat me të cilat ballafaqohen kompanitë e patundshmërive në Kinë.
Shifrat u publikuan në kohën kur Kina po vazhdon që të ballafaqohet me vështirësi në një krizë të tregut të pronave. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ky sektor përbën rreth 20 për qind të ekonomisë së Kinës.