Edhe Tomë Gashi në mbrojtje të Kurtit: Videomesazhi ishte i qëllimshëm për vrasjen e Ivanoviqit
Avokati i VV-së, Tomë Gashi, ka komentuar video-mesazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me rastin e pesë vjetorit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Gashi ka thënë se mesazhi i Kurtit ishte i qëllimshëm që të dërgonte porosi te serbët “sepse Ivanoviqi është vrarë nga serbët”.
“Konotacioni politik duhet të shihet se Albin Kurti dëshiroi të thotë se kjo ditë ishte përkujtim i qëllimshëm i Oliver Ivanoviqit, sepse atë e kanë vrarë serbët. Ivanoviqi ishte i pari që deshi të fusë një pluralizëm politik te serbët dhe në atë kohë ishte kandidat, si politikan serioz nga popullata serbe në veriun e Kosovës që ta zëvendësojë kryetarin e komunës së Mitrovicës Veriore, duke e eliminuar atë të Listës Serbe që ishte kandidat.” – ka thënë ai në Klan Kosova.
Më tej ai ka thënë se të gjithë e dinë se Ivanoviqin e kanë vrarë struktura paralele serbe të dirigjuara nga Vuçiqi, nga Beogradi.
“Nëse ne politikën e Albin Kurtit nuk e kuptojmë, se ai po don ‘me gjujt gurin’ në Serbi, sepse ata kanë vrarë njeriun e tyre.” – ka thënë ai.
Ndryshe edhe përkrahës të tjerë të VV-së dolën në mbrojtje të Kurtit dhe fjalëtve të zgjedhura të tij për Ivanoviqin.
