Edhe Kazakistani raporton për numër më të madh të rusëve në kufi pas thirrjes për mobilizim - NACIONALE

Edhe Kazakistani raporton për numër më të madh të rusëve në kufi pas thirrjes për mobilizim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kazakistani ka vërejtur rritje të numrit të rusëve që po hyjnë në këtë shtet, thanë autoritetet kazake të premten, pasi Moska shpalli mobilizim të pjesshëm ushtarak për luftën në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën dha urdhër për mobilizimin e parë të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe e përkrahu planin për aneksimin e territoreve lindore e jugore të Ukrainës, duke nxitur largim masiv të burrave rusë nga vendi.

Katër nga 30 pikëkalimet kufitare në kufirin mes Rusisë dhe Kazakistanit, që është i dyti në botë sa i përket gjatësisë, janë posaçërisht më të ngarkuara, tha shërbimi kufitar kazak përmes një deklarate, pa ofruar shifra për personat që kanë hyrë në territorin e Kazakistanit nga Rusia.

Një dëshmitar, që foli në kushte anonimiteti për shkak të frikës për sigurinë e vet, i tha agjencisë “Reuters” se është duke pritur në kolonë në një pikëkalim kufitar që nga mëngjesi i së enjtes dhe se ka parë trafik jashtëzakonisht të dendur nga ana ruse dhe kontrolle të gjata e të plota të veturave ruse nga rojat kufitare ruse.

Dëshmitari tha se shumë prej atyre që po e synonin kalimin e kufirit ishin burra që dukeshin në moshën e rekrutimit, nën 35 vjeç.

Drejtuesit kazakë të kamionëve, që ishin duke e kaluar kufirin, kanë publikuar video në internet të kolonave të gjata, që përbëheshin kryesisht nga automjetet për pasagjerë./Nacionale

Lajme të ngjashme