E pabesueshme: Demokratët e "shkrijnë" disavantazhin ndaj republikanëve në Nevada, dallimi vetëm 0,1 për qind - NACIONALE

E pabesueshme: Demokratët e "shkrijnë" disavantazhin ndaj republikanëve në Nevada, dallimi vetëm 0,1 për qind

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kandidatja e Partisë Demokratike nga Nevada në zgjedhjet për Senat, Catherine Cortez Masto, e ka ngushtuar shumë epërsinë e rivalit të saj nga Partia Republikane, Adam Laxalt.

Kur jan numëruar 94 për qind e votave, republikani Laxalt ka 467 mijë 208 vota ose 48,5 për qind, ndërsa demokratja Masto ka 466 mijë e 387 vota ose 48,4 për qind, vetëm 821 vota më pak, sipas rezultateve të publikuara në bazën e të dhënave të televizionit amerikan, CNN.

Të enjten, kur qenë numëruar 84 për qind e votave, epërsia e kandidatit republika ishte dukshëm më e lartë: 1,8 për qind ose gati 15 mijë vota, përcjell Nacionale.

Nëse rezultati në Nevada përmbyset dhe kandidatja demokrate fiton, atëherë Partisë Demokratike do t’i mbetet kontrolli i Senatit, pas raportimit se kandidati i saj në Arizona, Mark Kelly, tashmë e ka siguruar fitoren ndaj rivalit nga Partia Republikane, Blake Masters.

Kështu, amerikanët dhe bota mund të mos kenë nevojë fare që ta presin rezultatin e balotazhit në garën e ngushtë në Georgia për të kuptuar se cila parti do ta ketë kontrollin e dhomës së lartë të Kongresit.

Sidoqoftë, Partia Republikane ka më shumë gjasa për ta marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, që është dhoma e ulët e Kongresit, sepse tash për tash është në epërsi për disa ulëse.

Lajme të ngjashme