E miraton BE-ja: nga 2024, të gjithë telefonat e mençur me karikues të njëjtë - NACIONALE

E miraton BE-ja: nga 2024, të gjithë telefonat e mençur me karikues të njëjtë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Eurodeputetët kanë votuar për një ligj që kërkon që të gjitha pajisjet e reja portative të përdorin të njëjtin lloj kablli karikimi.

Telefonat inteligjentë dhe tabletët, duke përfshirë Apple iPhone dhe iPad, do të duhet të përdorin një karikues USB-C nga viti 2024, ndërsa prodhuesit e laptopëve do të kenë kohë deri në vitin 2026 për të bërë ndryshimin.

Ligji për karikuesin e njejtë, u miratua me 602 vota pro, 13 kundër dhe me tetë abstenime.

Pritet që edhe shtetet anëtare të japin miratimin me 24 tetor, përpara se rregulli të nënshkruhet në ligj në parlament.

Vendimi i ri u festua edhe nga komisionerja e BE-së për konkurrencën, Margrethe Vestager në Twitter, duke përmendur, “shqetësimin” që sillte posedimi i karikuesëve të shumtë.

Megjithatë, ky propozim nuk është mbështetur asnjëherë nga kompania Apple, e cila që nga prezantimi në shtator të 2021, tha se:

"Rregullorja e rreptë që detyron vetëm një lloj karikuesi mbyt inovacionin, në vend që ta inkurajojë atë, gjë që nga ana tjetër do të dëmtojë konsumatorët në Evropë dhe në mbarë botën".

Sipas BE-së, rregulli i ri do të përfshijë një sërë pajisje elektronike, nisur nga: telefonat celularë, tabletët, e-lexuesit, tastiera dhe miu (maus), pajisjet GPS, kufjet, kamera dixhitale, altoparlantë e drejtuesit e dorës së video lojërave.

Lajme të ngjashme