E konfirmon edhe Prokuroria në Hagë, lënda e Thaçit kalon te trupi gjykues në fund të vitit
Tashmë është e konfirmuar edhe nga vetë Prokuroria e Specializuar. Lënda e ish-krerëve të UÇK-së do të kalojë te trupi gjykues në fundin e këtij viti.
Në një parashtrim të dorëzuar te gjyqtari i procedurës paraprake, kryeprokurori Jack Smith ka konfirmuar se lënda mund të dorëzohet në fundin e vitit 2022, kurse paraqitja e rastit të bëhet në janarin e vitit 2023.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk parashikon asnjë vështirësi në transferimin e kësaj çështjeje në një trup gjykues rreth fundit të vitit, as paraqitjen para atij trupi gjykues në janar të vitit 2023, menjëherë pas dorëzimit të çështjes dhe pushimit”- thuhet në parashtrim, transmeton gazeta Nacionale.
Ky parashtrim është dorëzuar para konferencës statusore, e cila do të mbahet të premten në Hagë.
Në këtë konferencë pritet të diskutohet për nxjerrjen e materialeve, hetimet e prokurorisë e hetimet e mbrojtjes.