E konfirmon Abdixhiku: Të mërkurën e nisim iniciativën, bëj ftesë për angazhim mbipartiak e përtejpartiak
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur sërish për iniciativën e tij të “Rrugës së Tretë” për ta nxjerrë Kosovën nga izolimi ndërkombëtar.
Ai ka treguar që tashmë e ka nisur punën.
Abdixhiku ka deklaruar se ka ftuar për “angazhim të përbashkët” të gjithë atyre që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e e saj euroatlantik.
“Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtejpartiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës.” – shkruan z. Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së tutje ka deklaruar se është i lumtur me reagimin e parë publik ndaj iniciativës, e që ishte mjaft pozitiv.
Abdixhiku ka deklaruar se prej pasnesër, e mërkurë, do të nis takimet e para.
“Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euro-atlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithëshoqëror.” - shkruan tutje ai.
