“E kanë lutë”: Presidentja Osmani 'denoncohet' që nuk mori pjesë në Paradën e Krenarisë
Për dallim nga kryeministri Kurti, presidentja Vjosa Osmani nuk mori pjesë në Paradën e Krenarisë që u mbajt dje në Prishtinë në solidarizim me komunitetin LGBTIQA+.
Kurti më në fund e theu akullin. Mori pjesë në Paradën e Krenarisë për herë të parë, duke e vazhduar traditën e kahmotshme të nisur nga liderët e mëparshëm të Kosovës.
Por, për dallim nga Kurti, presidentja Osmani nuk u pa askund.
Flutura Kusari, juriste e medies, ka shprehur keqardhjen për një gjë të tillë duke thënë madje se sipas informacioneve të saj, presidentja Osmani edhe ishte lutur që të merrte pjesë.
“... sipas infove që i kam, e kanë ftu e kanë lutë por ncuk. Sa keq!” - u shpreh ajo në një koment në rrjetin social Facebook.
Presidentja e vendit megjithatë ishte në hapje të javës së krenarisë, ku edhe e dha mbështetjen e saj.
“Një mundësi e shkëlqyer për të adresuar sfidat me të cilat përballen komuniteti LGBTI+. Barazia e Diversiteti, nuk janë vlera vetëm për disa, po për të gjithë qytetarët, pa dallim. Pesonat LGBTI+ janë ende shënjestër e dhunës fatkeqësisht. Ky problem fatkeqsisht nuk është vetëm në Kosovë, por në mbarë botën.” – kishte thënë ajo.
Për dallim nga presidentja Osmani, ish-presidenti Thaçi kishte marrë pjesë disa herë në këtë paradë.
