E dhimbshme: Nëna e Marigonës rrëfen para gjykatës momentet kur e pa kufomën e vajzës
Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, janë deklaruar të pafajshëm. E pranë trupit gjykues dëshminë e saj e ka dhënë edhe Valdete Osmani, nëna e Marigonës së ndjerë.
Ajo mes lotësh ka treguar se si është njoftuar për vdekjen e vajzes së saj duke treguar se kur e ka shikuar kufomën e vajzës e ka parë se ia kishin thyer nofullën dhe dhëmbët.
“Mua nuk më kanë kallxu që e kanë vra, më kanë thënë ka vdekë në aksident. Më kanë kallxu qat ditë që e kanë pru, kur e kam çel kufomën e kam pa krejt zi, çika e ka pas nofullën e thyer dhe dhëmbët”, është shprehur nëna e Marigonës.
Ndërsa, në fillim të seancës të dyshuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm.
“Fillimisht i kërkoj falje familjës së Marigonës dhe i shpreh ngushëllime për vdekjen e vajzës. Unë nuk e pranoj fajësinë për akuzat që i lexoi prokurori”, ka deklaruar Krivaqa.
E raporti i autopsisë të cilin e ka publikuar Nacionale kishte dalë në përfundim se nga goditjet e shumta, 18-vjeçarja ka pësuar politraumë – lëndime të shumëfishta si dhe vdekja është shkaktuar menjëherë nga asfiksia mekanike si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik.
Sipas prokurorisë, në ditën kritike Dardan Krivaqa hynë në dhomë me një shkop dhe së bashku me Arbër Sejdiun e godasin viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar 18-vjeçares dhimbje të mëdha fizike dhe psikike.