Lëshohet fjalimi i Kurtit në emisionin e Pandurit, analisti ia "kërset" buzëqeshjes
Në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit është lëshuar një fjalim i Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, të cilin e mbajti në Kuvendin e Kosovës, gjatë mbrëmjes së gjatë ku diskutohej për planin evropian.
Analisti Bardhyl Hasanpapaj e dëgjonte me kujdes dhe buzëqeshte me ironi gjatë kohës sa po shfaqej në ekran fjalimi i z. Kurtit.
E pasi ia dha fjalën atij Ermal Panduri, udhëheqës i emisionit, z. Hasnapapaj theksoi se fjalimi i Kurtit ishte i bukur për të paketuar ndryshimin që e ka bërë si politikan.
“E bukur kjo kështu si aforizëm, si taktikë politike për me paketue ndryshimin e Albin Kurtit si politikan luftëtar i opozitës që ka ngritur kauza dhe ka marrë pushtetin, që është super legjitime, dhe ndryshimin e tij për të mirë që e ka bë dhe është e vërtetë ajo që thotë se ka ndryshu për të mirë.” – vlerësoi analisti.
Ndërsa, ky ishte fjalimi që u lëshua në Debat Plus.
“Nuk mendoj që duhet ta përsëris atë çfarë kam thënë pasdite, sepse ajo mund të rishikohet. Por sonte natën vonë po përpiqem t’i them disa gjëra të cilat adresojnë kritikat, vërejtjet, sulmet, sugjerimet, por që nuk janë thënë në një masë më herët. Së pari, unë nuk kam ndryshu përmbajtësisht për të keq. Por besoj fuqishëm se ju keni ndryshu deklarativisht për të mirë.” - dëgjohej teksa thoshte Kurti.