Dyshimet se bëri fushatë me para të shtetit, mbrojtja e Dhurata Hoxhës kundërshton aktakuzën
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është mbajtur seanca ndaj ish-ministres së Integrimeve, Dhurata Hoxha.
Ajo dyshohet se bashkë me disa vartës të saj, kanë lobuar në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, me para të shtetit.
Në seancën e shqyrtimit të dytë ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuarve të tjerë Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi, mbrojtja ka konsideruar se aktakuza nuk ka mbështetje ligjore.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 1 qershor 2022, të akuzuarit Hoxha, Tahiri, Mustafa dhe Dushi ishin deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Mustafa, avokati Arber Jashari tha se kjo aktakuzë nuk ka mbështetje ligjore si në aspektin formal, procedural dhe aspektin logjik, duke shtuar se prokuroria nuk ka ofruar ndonjë provë të veçantë që vërteton përgjegjësinë penale, dashjen apo qëllimin e të mbrojturit të tij.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Dhurata Hoxha, avokati Florent Latifaj tha se kundërshtimet e tij i ka paraqitur me shkrim dhe se qëndron pranë të njëjtave kundërshtime.
Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dushi, avokatja Kosovare Kelmendi i mbështeti deklarimet e avokatëve të tjerë duke shtuar se mbetet në tërësi pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës të dorëzuar me shkrim.