Dy të vdekur dhe tre të lënduar në një aksident në Istog
Dy persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku të ndodhur të hënën në fshatin Shushicë të Istogut.
Aksidenti ka përfshirë dy vetura, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Sipas tij, njëri nga viktimat është shpallur i vdekur në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor, ndërsa viktima e dytë ka ndërruar jetë pas transportimit në Spitalin Rajonal të Pejës.
Tre persona të tjerë, të cilët kanë pësuar lëndime në aksident, janë duke marrë trajtim mjekësor në spital.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe prokurori i shtetit. Autoritetet po hetojnë rrethanat që çuan në aksident.