Dy 18-vjeçarë të vrarë e tetë të lënduar nga sulmi rus në Zaporizhia të Ukrainës - NACIONALE

Dy 18-vjeçarë të vrarë e tetë të lënduar nga sulmi rus në Zaporizhia të Ukrainës

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm rus me dron la të vrarë dy persona të moshës 18-vjeçare dhe tetë të tjerë u lënduan të martën në qytetin Zaporizhia, në juglindje të Ukrainës.

Kështu tha guvernatori rajonal, Ivan Federov, duke shkruar në rrjetin “Telegram”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas tij, përpos pasojave në njerëz, katër blloqe banesore shumëkatëshe u dëmtuan nga sulmi.

Një alarm për sulme ajrore mbeti në fuqi për 24 orë në rajonin e Zaporizhias nga momenti i shpalljes.

Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina po e priste reagimin e Shteteve të Bashkuara pas sulmeve ruse.

“Ne presim një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara ndaj sulmeve ruse. Ishte propozim i Amerikës që të ndaleshin sulmet ndaj infrastrukturës energjetike gjatë përpjekjeve diplomatike dhe periudhës së ftohtë të dimrit” – tha Zelensky në video-adresimin tradicional të mbrëmjes.

Këtë javë pritet të rinisin bisedimet mes Rusisë e Ukrainës në Emiratetet e Bashkuara, me ndërmjetësimin e Uashingtonit. Ato fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në fundjavën që shkoi, por ishin shtyrë.

Lajme të ngjashme