Duterte niset për në Hagë pas arrestimit nën urdhërarrestin e GjNP-së, thotë vajza e tij
Ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, është nisur me aeroplan për në Hagë pas arrestimit nën urdhërarrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), ka thënë vajza e tij, raporton televizioni CNN.
Duterte akuzohet për krime kundër njerëzimit. Ai është hetuar nga GjNP-ja për fushatën shtypëse kundër drogës gjatë kohës sa ishte në pushtet e kur u vranë më shumë se gjashtë mijë njerëz, sipas të dhënave të policisë, edhe pse vëzhguesit e pavarur besojnë se numri i vrasjeve jashtëgjyqësore mund të jetë shumë më i lartë.
79-vjeçari kishte thënë më herët se ishte i gatshëm për të shkuar në burg, kur po u përgjigjej raportimeve për arrestimin e mundshëm të tij.
Koalicioni Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut e quajti arrestimin e tij “moment historik”.
Kritikët thonë se “lufta ndaj drogës” çoi në abuzime nga policia dhe se shumë prej të dyshuarve për drogë janë ekzekutuar në mënyrë jashtëgjyqësore. Duterte i ka mohuar akuzat.