“Duhet të mbledhen nënshkrimet e 20% të votuesve”: KQZ i përgjigjet kërkesës së serbëve në veri për shkarkim të kryetarëve
Nismës së serbëve të veriut, përkatësisht Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, për shkarkim të kryetarëve shqiptarë legalë (ndonëse jolegjitimë) u është përgjigjur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) se tashmë atyre u duhet edhe të grumbullojnë nënshkrimet në peticionin prej rreth 20% të trupës elektorale të atyre komunave.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka dhënë edhe përllogaritjet se sa duhet të jetë pëafërsisht numri i votuesve që duhet t’i korrespondojë kërkesës prej 20% të votuesve të regjistruar .
Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit, sipas tij, është 13,441, e nga ky numër, 2,689 përbëjnë 20% të trupës elektorale në këtë komunë, siç e citoi RTK.
“KQZ ka njoftuar kryesuesit e tri kuvendeve komunale, tri grupet nismëtare dhe MAPL-në edhe lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”, ka deklaruar Elezi.
“Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 6,732. 20% i votuesve në këtë komunë është: 1,347. Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale”, ka deklaruar Elezi.