Duat Haradinaj: Pse nuk u përzgjedh Ukshin Hoti për intervistë në burg, por Albin Kurti
Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk përgjigjet se “pse ka qenë i privilegjuar gjatë qëndrimit në burg në Serbi”, duhet të krijohet një komision hetimor parlamentar.
“Pse nuk u përzgjedh Ukshin Hoti ose të tjerët. Pse është përzgjedhur Kurti për të dhënë intervistë?”, ka pyetur Haradinaj, duke thënë se po bën pyetje legjitime.
“Këtë përgjigje duhet ta marrim nga zotëri Kurti”, ka theksuar Haradinaj gjatë një interviste në ATV.
Ai ka shtuar se këtë përgjigje do të insistojnë ta marrin nga Kurti dhe jo përmes këshillëtarve të tij.
Para disa ditësh, edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se Kurti ishte trajtuar mirë në kohën sa kishte qenë në burg në Serbi.
“Nuk ka qenë trajtimi i njëjtë nëpër burgjet e Serbisë. Disa e kanë pësuar keq, disa madje nuk janë gjallë fare, Kurtit i priti fati që edhe nga atje të japë intervistë”, ka theksuar kreu i AAK-së.
Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj ka shprehur dyshime për të kaluarën e Kurtit.
