Dua Lipa merr nënshtetësinë shqiptare: "Pasuri e rrallë për botën e muzikës"
Këngëtarja britanike me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka marrë nënshtetësinë e Shqipërisë.
Me rastin e 110 vjetorit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka dorëzuar dekretin e shtetësisë shqiptare.
Begaj ka thënë se Dua Lipa është krenari shqiptare dhe pasuri e rrallë për botën e muzikës.
“Dua Lipa është krenari shqiptare! Kënaqësi e veçantë t’i dorëzoja dekretin e shtetësisë shqiptare këngëtares së talentuar dhe të famshme në të gjithë botën!”
“Në vigjilje të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë jo vetëm ato personalitete që në të shkuarën kontribuan dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të ri shqiptar, por edhe të gjithë ata që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës i japin vlerë identitetin shqiptar dhe na bëjnë krenarë në çdo moment! Një artiste si Dua Lipa është një pasuri e rrallë për botën e muzikës dhe në të njëjtën kohë një krenari e jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe kudo ku flitet shqip. Ajo është simbol i talentit, punës së përkushtuar dhe shkëlqimit artistik plotësisht të merituar!”, ka shkruar Begaj.
Ndryshe, Dua Lipa më 28 nëntor do të mbajë koncert në Tiranë.
