Dogana e Kosovës parandalon kontrabandimin e një arme ajrore në Aeroportin e Prishtinës - NACIONALE

Dogana e Kosovës parandalon kontrabandimin e një arme ajrore në Aeroportin e Prishtinës

2 orë më parë

nga NACIONALE

Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e një arme ajrore, e cila konsiderohet e ndaluar, gjatë një kontrolli rutinor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas njoftimit të Doganës, udhëtari kishte kaluar përmes kanalit të gjelbër, duke mos deklaruar ndonjë mall, por ishte përzgjedhur për kontroll të bagazhit përmes pajisjes së skanimit.

Nga imazhi i paraqitur në skaner, zyrtari doganor kishte evidentuar dyshime lidhur me përmbajtjen e bagazhit, me ç’rast ishte kryer edhe kontrolli fizik.

Gjatë kontrollit është gjetur një revole ajrore “FB Record”, e kalibrit .177, e çmontuar dhe e mbështjellë me foli alumini dhe rroba, në përpjekje për ta fshehur atë.

Arma është ndaluar dhe i është dorëzuar Policisë Kufitare në Aeroportin e Prishtinës për procedim të mëtejmë, ndërsa ndaj udhëtarit do të zhvillohen procedurat përkatëse administrative dhe ligjore.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e kufijve të Republikës së Kosovës dhe në parandalimin e futjes së mallrave të ndaluara dhe të kontrabanduara, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet kompetente për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme