DnV: Procesi zgjedhor u përmbyll në rregull, reforma zgjedhore të jetë prioritet i legjislaturës së re - NACIONALE

DnV: Procesi zgjedhor u përmbyll në rregull, reforma zgjedhore të jetë prioritet i legjislaturës së re

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Demokracia në Veprim ka reaguar pasi KQZ-ja ka certifikuar rezultate e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Duke komentuar rrethanat në të cilën janë mbajtur këto zgjedhje DnV ka vlerësuar se procesi zgjedhor është përmbyll në mënyrë të rregullt.

Përmes një komunikate për media, ky rrjet i OJQ-ve ka theksuar mangësitë e këtyre zgjedhjeve.

“Këto zgjedhje u mbajtën në një rrethanë të pazakontë politike, pas disa proceseve zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër. Kjo u pa qartë në lodhjen e votuesve, në fushatën më pak intensive dhe në pjesëmarrjen më të ulët në votime. Megjithatë, vetë procesi nuk u shoqërua me incidente apo parregullsi që do të cenonin integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Administrimi i zgjedhjeve ishte përgjithësisht profesional. Publikimi i rezultateve, numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit, puna në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, trajtimi i votave jashtë Kosovës dhe shqyrtimi i ankesave u zhvilluan pa tensione të mëdha dhe pa zvarritje që do ta dëmtonin besueshmërinë e procesit”, është thënë në këtë komunikatë, duke përmendu problemet që kanë nxjerr në pak këto zgjedhje.

“Megjithatë, zgjedhjet nxorën përsëri në pah disa çështje që Kosova vazhdon t’i bartë nga një proces zgjedhor në tjetrin, përfshirë mungesën e rregullimit të parafushatës, cenimin e garës së barabartë zgjedhore nga vendimet ekzekutive, transparencën e pamjaftueshme të financimit e subjekteve politike gjatë zgjedhjeve, sidomos në hapësirën digjitale dhe nga kandidatët, vështirësitë e votuesve për ta gjetur vendvotimin, qasjen e kufizuar për personat me aftësi të kufizuara, si dhe sfidat që lidhen me votat preferenciale dhe votimin jashtë Kosovës. DnV është duke finalizuar raportet përfundimtar të vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve, të cilat do të publikohen në javët në vijim. Raporti do të përfshijë gjetjet e plota për procesin zgjedhor dhe rekomandimet për institucionet përgjegjëse”, ka vlerësuar DnV.

Tutje, ky rrjet i organizatave qeveritare ka kërkuar nga legjislatura e re jetësimin e reformës zgjedhore.

“DnV u bën thirrje Kuvendit të Kosovës, pas konstituimit, që reformën zgjedhore ta vendosë ndër prioritetet e para. Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Gjykata Supreme, institucionet e drejtësisë, komunat dhe institucionet tjera të përfshira në proces duhet t’i trajtojnë rekomandimet me seriozitet dhe t’i kthejnë ato në veprime konkrete. Reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe e bazuar në përvojën konkrete të cikleve të fundit zgjedhore. Ajo duhet të adresojë jo vetëm çështjet teknike të administrimit, por edhe elementet më të gjera të sistemit zgjedhor që ndikojnë në përfaqësim, barazi të garës, besim publik dhe funksionalitet institucional”, është thënë në komunikatë.

Lajme të ngjashme