Dita e pestë e numërimit të votave, KQZ jep detajet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka përfunduar në 37 nga 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).
Sipas të dhënave të publikuara të premten në orën 16:00, janë procesuar 2,425 nga gjithsej 2,498 vendvotime, që përbën 97.07 për qind të numrit total të vendvotimeve në nivel vendi.
Gjatë ditës së premte kanë përfunduar aktivitetet e verifikimit dhe numërimit edhe në komunat e Gjilanit dhe Prizrenit, duke e çuar në 37 numrin e QKN-ve që kanë përmbyllur këtë proces.
Aktualisht, procesi vazhdon vetëm në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku deri në orën 16:00 janë procesuar 189 nga 262 vendvotime. Sipas KQZ-së, kanë mbetur edhe 73 vendvotime për t’u verifikuar dhe numëruar.
KQZ bëri të ditur se aktivitetet po vazhdojnë edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ndërsa procesi i përpunimit të rezultateve po zhvillohet sipas planifikimeve.
Qendrat Komunale të Numërimit që kanë përfunduar procesin deri më tani përfshijnë të gjitha komunat e vendit, me përjashtim të Prishtinës, e cila mbetet komuna e fundit ku po vazhdon verifikimi dhe numërimi i votave.