Diskutohen mundësitë për shkëmbimin e të dhënave elektronike mes doganave dhe prokurorive
Institucioni doganor i Kosovës ka njoftuar se sot janë diskutuar mundësitë për shkëmbimin e të dhënave mes doganavedhe prokurorive të Kosovës.
Për këtë çështje janë takuar Udhëheqësi i Departamentit të Teknologjisë Informative në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Nexhat Haziri dhe Udhëheqës i Sektorit të Hetimeve në Doganat e Kosovës, Valbonë Ymeri, së bashku me përgjegjësit e sistemeve elektronike të këtij sektori.
“Në këtë takim janë fokusuar diskutimet në mundësinë e ndërlidhjes së Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), i cili përdoret në prokuroritë e vendit dhe Sistemit Elektronik (LES) të Doganave të Kosovës, të cilat do të mundësojnë që të dhënat të shkëmbehen në mënyrë elektronike ndërmjet zyrtarëve doganorë dhe prokurorëve të rastit, duke mundësuar komunikim të shpejtë dhe efikasitet në punë”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
