Dimal Basha s’pendohet që i bërtiti Rrahman Jasharajt: Qiky jam unë, e kam votën e qytetarit
Të mërkurën ishim dëshmitarë të një fjalosje mes deputetit Dimal Basha dhe kryesindikalistit Rrahman Jasharaj. Në fakt, ky i pari, dukej po i bërtiste këtij të fundit.
Basha mori shumë reagime ashpër për qasjen e tij, të cilën, ai s’e konsideron aspak problematike duke u thirrur në votën e qytetarëve.
“Jo se unë s’kam çka me u pendu. E kam votën e qytetarit, ata që më kanë votu e dijnë natyrën tem të qasjes ndaj problemeve. Ndoshta i marr senet më personale, po qiky jam, muj mos me iu pëlqy tjerëve”, ka thënë Basha te “Java Sonte me Rronin”.
Basha pretendoi se është shumë i shqetësuar pasi sipas tij, 300 mijë fëmijë po qëndrojnë në shtëpi.
Vlen të theksohet, se përveç SBASHK-ut që ka qenë i gatshëm për kompromis, Qeveria e Kosovës nuk është tërhequr assesi nga qëndrimet e saj, duke përmendur pakon ekonomike të prezantuar para disa ditësh.
Sot pati edhe një takim tjetër, ku të pranishëm ishin Kurti e Jasharaj, por as aty nuk pati ndonjë marrëveshje për përfundimin e grevës.
