Dilemë shekspiriane në Drenasin e Ramiz Lladrovcit: të hyhet a të mos hyhet me biçikletë në shtegun për çiklistë? - NACIONALE

Dilemë shekspiriane në Drenasin e Ramiz Lladrovcit: të hyhet a të mos hyhet me biçikletë në shtegun për çiklistë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Fjalët e famshme të anglezit William Shakespeare, “Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja”, gjejnë zbatim edhe në ditët tona, në situata të ndryshme, edhe më shumë se katër shekuj pas vdekjes së tij. Kjo thënie ka marrë një formë të modifikuar në zemër të Kosovës, në Drenasin e kryetarit Ramiz Lladrovci: të hysh a të mos hysh me biçikletë në shtegun për çiklistë?

Komuna e Drenasit rishtazi e ka bërë zgjerimin e Rrugës “14 Qershori” dhe, me këtë rast, ka lënë hapësirë edhe për një shteg për çiklistë. Shtegu është i shenjëzuar horizontalisht, i ndarë me vijë të bardhë të plotë dhe i ngjyrosur me ngjyrë të kuqe, edhe pse ngjyra ka filluar të venitet.

Sidoqoftë, bie në sy [për të keq] shenjëzimi vertikal i shtegut. Në vend të shenjës së lajmërimit për fillimin e shtegut për çiklistë, është vendosur shenja e urdhrit të prerë – ndalim qarkullimi për çiklistë.

Si duket, personat që e kanë vendosur shenjën e njëjtë përgjatë shtegut nuk e dinë dallimin mes shenjave të rrumbullakëta me simbol të zi, fushë të bardhë e rreth të kuq dhe shenjave të rrumbullakëta me simbol të bardhë e fushë të kaltër.

Shpresojmë që dikush nga Komuna e Drenasit do ta lexojë këtë artikull në mënyrë që të bëhet zëvendësimi i shenjave të gabuara. Në të kundërtën, çiklistët e Drenasit do të jenë në mëdyshje të madhe, absurde njëkohësisht – a do të dënohen nga policia, nëse lëvizin me biçikletë nëpër shtegun e tyre?

Lajme të ngjashme