Dhjetë të vrarë në një kafene në Meksikë, në rajonin e goditur nga dhuna
Disa persona të armatosur hapën zjarr në një kafene në pjesën qendrore të Meksikës, duke vrarë dhjetë njerëz, thanë zyrtarët, në shpërthimin më të ri të dhunës që e ka goditur vendin.
“Duket se ishte sulm i drejtpërdrejtë”, tha një zyrtar policor nga qyteza Tarimoro e shtetit meksikan, Guanajuato, që vjetëve të fundit është goditur nga luftërat e egra për territor mes bandave rivale të drogës.
Zyrtari policor, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se dhjetë viktimat në sulmin e së mërkurës ishin burra dhe se ende nuk është arrestuar asnjë person për këtë rast, raporton agjencia “Reuters”.
Një zyrtar i qeverisë shtetërore tha se nëntë nga burrat e vrarë vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër vdiq nga plagët pas dërgimit në spital.
Ministria e Sigurisë tha këtë javë se në Guanajuato kanë ndodhur më së shumti vrasje këtë vit nga të gjitha shtetet meksikane. Nga janari deri në gusht, atje janë regjistruar 2.115 viktima.