Devijmet e votave, Haradinaj: Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar me tone të ashpra pas publikimit të të dhënave të fundit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), të cilat dëshmuan mospërputhje drastike mes votave në kuti dhe atyre në formularë.
Duke parë përmasat e ndryshimit të rezultateve nga rinumërimi i deritanishëm, Haradinaj ka vlerësuar se procesi zgjedhor i 28 dhjetorit është rëndë i komprometuar. Sipas tij, ajo që po zbulohet nuk është thjesht gabim teknik, por një organizim i qëllimshëm për tjetërsimin e vullnetit qytetar.
Për kreun e AAK-së, opsioni i rinumërimit të pjesshëm nuk mjafton më. Ai ka kërkuar që çdo votë e hedhur në këto zgjedhje t'i nënshtrohet verifikimit për të rikthyer legjitimitetin e procesit.