Dënimi i Zoran Gjokiq me 12 vjet burgim: Gjykata Kushtetuese s’gjen shkelje gjatë aktgjykimit - NACIONALE

Dënimi i Zoran Gjokiq me 12 vjet burgim: Gjykata Kushtetuese s’gjen shkelje gjatë aktgjykimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi dënimin prej 12 vite burgim ndaj Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte në lagjen “Kristal” të Pejës, në aktgjykimin e datës 7 nëntor 2023.

Kushtetuesja ka vlerësuar se aktgjykimet e Gjykatës Supreme , Gjykatës se Apelit dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, në këtë çështje penale, nuk janë në kundërshtim "me paragrafët 1, 2 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 (3) (a), (b) dhe (d) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut."

Pjesë nga vlerësimi i kushtetushmërisë së Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kuadër të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë kontekst (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për t’u informuar për ndryshim dhe zgjerim të aktakuzës, të drejtat e mbrojtjes në proces penal, të drejtën për ballafaqim të dëshmitarëve dhe dëgjim të dëshmitarëve në favor të parashtruesit të kërkesës, siç është e garantuar me aktet e lartcekura, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Në këtë kontekst dhe sipas shtjellimeve të detajuara në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se: (i) prokurori me kohë ka njoftuar mbrojtësin e parashtruesit të kërkesës lidhur me zgjerimin e aktakuzës, çka edhe është konstatuar gjatë procesit gjyqësor nga Gjykata e Apelit se mundësia e ushtrimit praktik dhe efektiv të mbrojtjes ndaj zgjerimit të aktakuzës i është dhënë mbrojtjes së parashtruesit të kërkesës; (ii) zgjerimi i aktakuzës kundër parashtruesit të kërkesës nuk ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale dhe nuk ka ndryshuar rolin e parashtruesit të kërkesës në kryerjen e veprës penale; (iii) gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se dëshmitarët janë ballafaquar me parashtruesin e kërkesës dhe/ose mbrojtjen e tij dhe se të njëjtin e kanë identifikuar që ka qenë prezent në situata të caktuara kur janë kryer veprat penale; (iv) gjykatat e rregullta nuk kanë mohuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për të propozuar dëshmitarë të rinj, veçse të njëjtat kanë theksuar se propozimi i dëshmitarëve vlen edhe për palët e dëmtuara, çka është në pajtim me parimin e “barazisë së armëve” siç garantohet me të drejtë për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm; (v) gjykatat e rregullta kanë dëgjuar edhe dëshmitarët në favor të parashtruesit të kërkesës, ndërsa pesha që u akordohet dëshmisë së atyre dëshmitarëve është çështje e juridiksionit dhe fushëveprimit të gjykatave të rregullta.

Lajme të ngjashme