Deliu: Qeveria është e paaftë t’i menaxhojë krizat dhe të gjithë barrën po e zhvendos te qytetarët - NACIONALE

Deliu: Qeveria është e paaftë t’i menaxhojë krizat dhe të gjithë barrën po e zhvendos te qytetarët

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se Qeveria është duke u treguar e paaftë që t’i menaxhojë krizat e energjisë dhe rritjen e inflacionit dhe sipas saj të gjithë barrën është duke e zhvendosur te qytetarët.

Deliu përmes një postimi në Facebook ka thënë se ata që nuk kanë mundësi të izolojnë shtëpitë do të kenë një dimër të ftohtë, ndërsa ata që nuk mund të përballojnë çmimet do të kenë një sofër të varfër.

“Duke qenë e paaftë t’i menaxhojë situatat e prodhuara nga kriza e energjisë dhe rritja e inflacionit, Qeveria zhvendos gjithë barrën e përgjegjësisë te qytetarët, duke krijuar kështu vetëvetiu një mjedis shoqëror të mbijetesës së më të fortit. Ata që nuk kanë mundësi të izolojnë shtëpitë do të kenë një dimër të ftohtë, ndërsa ata që nuk mund të përballojnë çmimet do të kenë një sofër të varfër. Dhe kjo, për Qeverinë Kurti është mëse normale, madje natyrore”, ka shkruar ajo.

Deputetja e PDK-së, tutje ka shkruar se nuk është roli i Qeverisë për t’i shpjeguar situatat, por për t’i menaxhuar ato.

“Qeveritë e vendeve tjera kanë kërkuar bashkëpunimin qytetar, por vetëm pas një sërë masash të ndërmarra për të lehtësuar përballimin e kostos së energjisë dhe të inflacionit. Nuk është roli i Qeverisë për t’i shpjeguar situatat, por për t’i menaxhuar ato”, ka shkruar Deliu.

Lajme të ngjashme