Deliu: PDK nuk ka votë për Simiqin, konstituimi i Kuvendit duhet të respektojë kushtetutën
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka theksuar se konstituimi i Kuvendit nuk mund të bëhet me shkelje të kushtetutës dhe rregullores, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarëve të legjislativit.
Në një deklaratë për RTV21, Deliu pohoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar qëndrimin që PDK-ja ka mbajtur që nga fillimi i procesit.
"Kanë qenë e qartë e kemi thënë që sa kohë se mënyra sesi është proceduar me zgjedhjen e nënkryetarëve nga pakicat ka qenë mënyrë që bie ndesh me Kushtetutën. Kemi thënë si PDK se me shkelje të kushtetues dhe të rregullore s'mund të ketë konstituim të Kuvendit këtë e tha edhe Gjykata Kushtetuese," tha Deliu.
Ajo theksoi se kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit janë të qarta se nënkryetarët duhet të zgjidhen së bashku dhe jo individualisht.
"Është jashtëzakonisht e qartë se edhe në të kaluarën edhe rregullorja edhe kushtetuta e thotë qartësisht se nënkryetarët duhet të votohen në pako dhe jo ndaras," sqaroi deputetja e PDK-së.
Lidhur me pyetjen nëse PDK-ja do të votojë ndonjë kandidat të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, Deliu qëndroi e qartë për deputetin Sllavko Simiq, por nuk dha përgjigje konkrete për kandidatë të tjerë eventualë nga ky subjekt politik.
"PDK-ja e ka qartësuar qëndrimi e saj do të respektojmë kushtetutën e Kosovës do të jemi në Kuvend jo për ta votuar Simiqin e kemi thënë saktë s e PDK-ja s'ka votë për Simiqin..sic ka thënë edhe kryetari Krasniqi se s'kemi votë as për kusarin as për Simiqin," deklaroi ajo.
Deliu paralajmëroi se PDK-ja do të jetë e pranishme në seancën e ardhshme konstituive, kurdo që ajo të caktohet, dhe se do të veprojë në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit.
"Do të jemi në harmoni të plotë kushtetutën me rregullat dhe rendit kushtetues të Kosovës çdo përpjekje për të devijuar nga ky rend është cenim i shtetit të Kosovës," theksoi Deliu për RTV21.
Ajo shtoi se aktualisht nuk ka diskutime brenda partisë se si do të veprohet në vazhdim, duke lënë të kuptohet se qëndrimi përfundimtar do të varet nga zhvillimet e mëtejshme dhe vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese pasi të publikohet.
Qëndrimi i PDK-së vjen në një moment kur procesi i konstituimit të Kuvendit mbetet i bllokuar, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është tentuar të zgjidhen nënkryetarët e legjislativit.