Deliu pas deklaratave të Abazit: Dorëheqja apo shkarkimi i Albulena Haxhiut, hap për të mundësuar hetime të pavarura
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka reaguar pas deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
Deliu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka kërkuar nga prokuroria që të veprojë më mënyrë të pavarur në lidhje me këto pretendime.
“Dorëheqja ose shkarkimi i Ministres së Drejtësisë, është hapi i parë dhe i domosdoshëm për të mundësuar proces hetimor të pavarur e të besueshëm.” – ka thënë ajo.
Postimi i plotë i Deliut në Facebook:
Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit është zhdukje e të vërtetës për rastin tragjik të tij.
Dy muaj pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nën pushtetin qeverisës të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut, kuptojmë nga një deputet i shumicës parlamentare se krerët e institucioneve kanë dijeni për përmbajtjen e kamerave të sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
I bëjë thirrje prokurorisë që të veproj në mënyrë të pavarur, me efikasitet dhe profesionalizëm për të hetuar dhe zbardhur këto pretendime, e mos të smbrapset as përballë presioneve e kërcënimeve që mund t’i marrë nga ky pushtet, bartësit e të cilit, derisa janë të gatshëm që t’i kërcënojnë publikisht prokurorët në sallat e gjyqit (siç ndodhi para disa ditësh), mund të bëjnë gjithçka jashtë tyre.
Dorëheqja ose shkarkimi i Ministres së Drejtësisë, është hapi i parë dhe i domosdoshëm për të mundësuar proces hetimor të pavarur e të besueshëm.