Deliu-Kodra: S’do të qëndrojmë duarkryq, do të kërkojmë kthimin e rendit kushtetues
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e interpreton Kushtetutën në mënyrë që i përshtatet atij.
E ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova, Deliu-Kodra tha se PDK-ja nuk do të qëndrojë pasive dhe se do të angazhohet për rikthimin e rendit kushtetues në vend.
“Mënyra qysh lexohet Kushtetuta prej Albin Kurtit është mënyrë qysh atij i konvenon. 30 ditëshi ka qenë i qartë, 30 ditëshi ka kaluar dhe tash ne jemi jashtë afatit. Kur e shoh sot përpjekjen që Albin Kurti me imponu një rend të ri edhe kushtetues, edhe ligjor, edhe shoqëror, unë nuk befasohem që ai ka me u sjellë në afate të reja, me u thirrë në afate të reja. Ne s’kemi me qëndru duarkryq, të jeni të bindur që kemi me kërku si Parti Demokratike e Kosovës, si deputetë që kemi marrë besim e mandat, si forca e parë opozitare, deri në fund kthimin e rendit kushtetues dhe veprimet tona brenda Kuvendit të jenë në harmoni me mandatet që na kanë dhënë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Më tej, Deliu-Kodra u shpreh se asnjë përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund ta ndalë vullnetin dhe mandatin e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.
“Nuk mundet as Albin Kurti, as Avni Dehari, as asnjë eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje me e ndalë vullnetin dhe mandatin me të cilin na kanë ngarkuar qytetarët”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.