Deliu-Kodra: Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe PDK-ja nuk do të jenë njësoj
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se, sa më shumë që afrohet 16 shtatori, aq më shumë ndihet pesha e kësaj date.
Ajo ka shtuar se barrën më të rëndë të këtij procesi e kanë bartur familjarët e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Postimi i plotë:
16 shtatori po afrohet dhe, sa më shumë afrohet, aq më shumë e ndiejmë peshën e asaj date.
Në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Prej vitesh, barrën më të rëndë të këtij procesi e kanë bartur familjet e tyre, por ai ka prekur edhe shumë më gjerë: bashkëluftëtarët, PDK-në dhe gjithë Kosovën.
Nuk e dimë çfarë do të sjellë ajo ditë, por e dimë se pas saj shumëçka nuk do të jetë njësoj. Kosova po shkon drejt një momenti kaq të ndjeshëm pa institucione të konsoliduara, me Kuvend jofunksional dhe me një krizë politike që po vazhdon.
Në ditë të tilla, shteti duhet të jetë aty. Duhet të ketë institucione që funksionojnë, përgjegjësi, maturi dhe një zë që e përfaqëson Kosovën me dinjitet.
Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë krejt të njëjta.
Prandaj kemi nevojë për institucione. Jo nesër. Sot.