Deklarata skandaloze e ministres serbe, Bajrami ankohet te Sorensen: Ajo e foli zëshëm atë që e mendon Vuçiqi - NACIONALE

Deklarata skandaloze e ministres serbe, Bajrami ankohet te Sorensen: Ajo e foli zëshëm atë që e mendon Vuçiqi

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka bërë me dije se për deklaratat e ministres serbe për spastrim etnik të shqiptarëve është ankuar te emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.

Ai ka vlerësuar se ministrja serbe e kishte thënë atë që e mendon presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Në llogarinë e tij në platformën X, Bajrami, i cili udhëheq ekipin negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë, ka shkruar se këto deklarata janë shkelje e marrëveshjeve të Brukselit.

“Unë kam adresuar zyrtarisht me emisarin Sorensen deklaratën alarmuese të një ministre serbe që mbështet hapur spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.Ministrja serbe tha atë që mendon Presidenti serb- ajo thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë, ndërsa ai tani përpiqet të kontrollojë dëmet”, ka shkruar Bajrami, duke dhënë detaje tjera.

“Deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarët serbë përfaqësojnë një shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, preambula e së cilës i angazhon Palët të “kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës” dhe njeh se “paprekshmëria e kufijve dhe respekti për integritetin dhe sovranitetin territorial… janë një kusht themelor për paqen”.Kjo retorikë dëmton seriozisht dialogun, besimin dhe normalizimin e BE-së bazuar në njohjen dhe respektin reciprok. Distancimi i Serbisë është thjesht premtime boshe – jo pendim i sinqertë apo refuzim i krimeve të epokës së Millosheviqit”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme