Deklarata qesharake e vitit e deputetit të LVV-së: Ndërkombëtarët të organizojnë koktej që LVV lshoi pe - NACIONALE

Deklarata qesharake e vitit e deputetit të LVV-së: Ndërkombëtarët të organizojnë koktej që LVV lshoi pe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi konsideron se partisë së tij duhet t’i organizohet një koktej pasi sipas tij, “lëshuan pe” për kërkesat e ndërkombëtarëve.

Duke folur në lidhje me zhgënjimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian patën me planin e ri të kryeministrit Albin Kurti dhe mosdëgjimin ndaj kërkesave të tyre, deputeti i partisë në pushtet vlerëson se këta duhet të ndihen falendërues.

“Kemi pasë një kërkesë, kështu, insistim dorën në zemër, të faktorit ndërkombëtarë, BE-së, Amerikës me e shty afatin vazhdimisht. Ne me qëllim që të mos i krijojmë pozicion të favorshëm Serbisë edhe e kemi pranuar këtë gjë. Aq sa e njoh unë Vetëvendosjen, edhe qeverisjen e Vetëvendosjes, ndërkombëtarët duhen me qenë shumë falënderues për këtë lëshim pe. Bile, bile mendoj që është dashtë me bë këso koktej recepsioni për këtë punë”, ka thënë ai në “Java sonte me Rronin”.

Deputet Abrashi s’u ndal me kaq, pasi që i quajti absurde kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën që lamë pasë konfirmoi një plan për ta shkallëzuar vendimin për targat, i cili ka nisur që të zbatohet nga 1 nëntori.

“Shkallëzimi” i Kurtit ndahet në tri masa, fillimisht qortim tri javë, masë e gjobitjes dy muaj, targa provuese dy muaj dhe nga prilli konfiskim.

Ditën kur komunikoi planin e ri, Kurti para gazetarëve tha se kjo nuk nënkupton që zbatimi i vendimit është shtyrë, por vetëm është shkallëzuar.

“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.

Me këtë plan të kryeministrit të vendit, nuk u pajtuan SHBA-ja dhe BE-ja të cilat kërkuan sërish që afati i zbatimit të vendimit të shtyhet, derisa u shprehen qartë se janë të zhgënjyera.

Në një komunikatë të DASH-it, shprehej zhgënjimi dhe shqetësimi i Amerikës pasi nuk u dëgjua kërkesa e tyre.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.

Bashkimi Evropian ndërkaq, tha se vendimi është hap në drejtimin e duhur, por nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut.

“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”, thekson komunikata.

Lajme të ngjashme