Dega e partisë Guxo në Pejë jep dorëheqje, kritikohet ashpër Donika Gërvalla
Kryesia e Degës së Partisë Guxo në Pejë dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partia ka dhënë dorëheqje.
Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate, e cila është publikuar nga anëtarët e dorëhequr.
Në aktin e dorëheqjes bëhet e ditur se ky veprim vjen si pasojë e mungesës së mbështetjes ndaj Presidentes Vjosa Osmani nga Partia Guxo.
“Ju njoftojmë se kemi vendosur të japim dorëheqje nga Partia Guxo – Dega në Pejë. Kjo dorëheqje vjen si pasojë e mungesës së mbështetjes ndaj Presidentes Vjosa Osmani nga Partia Guxo në Pejë. Vjosa Osmani mbetet një lidere që ka përfaqësuar me dinjitet Republikën e Kosovës dhe ka mbrojtur interesin shtetëror në çdo rrethanë. Është tepër shqetësues qëndrimi i znj. Donika Gërvalla, e cila ka lobuar kundër rizgjedhjes së Presidentes Osmani. Për ne është e papranueshme që brenda të njëjtit subjekt politik të mungojë përkrahja për një Presidente që ka dëshmuar integritet dhe përkushtim ndaj shtetit, si dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme”, është thënë në njoftimin e dorëheqje, duke u përmendur emrat e anëtareve që janë dorëhequr.