DASH: Marrëveshja Moskë-Beograd është një hap në drejtimin e gabuar
Sipas një zëdhënësi të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili foli për Zërin e Amerikës, SHBA beson se asnjë vend nuk duhet të rrisë bashkëpunimin me Rusinë për sa kohë që ajo vazhdon të përfshihet në sjellje agresive.
“Lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm synimin e Serbisë për anëtarësim në BE. Rusia qartazi nuk e mbështet anëtarësimin në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kërkon vetëm të mbjellë ndarje në rajon. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është plotësisht brenda BE-së dhe zgjerimi i saj promovon paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin afatgjatë në të gjithë rajonin. Serbia duhet të përshpejtojë hapat për të çuar përpara rrugën e saj evropiane, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë për të zvogëluar varësinë e saj energjetike nga nga Rusia dhe përafrimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi të premten një marrëveshje me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov për "konsultime" të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Marrëveshja u nënshkrua ndërsa dy ministrat ishin në Nju Jork për seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit rus në mbarë botën.