DASh: Agresioni rus në Ukrainë tregon urgjencën për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor - NACIONALE

DASh: Agresioni rus në Ukrainë tregon urgjencën për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se lufta e Rusisë në Ukrainë "vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e punës së Uashingtonit për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të arrijnë aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike", pas deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia është duke e trazuar situatën në Ballkan “në mënyrë që një shtet të luftojë kundër një tjetri”.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjitha shtetet në Evropë, kanë një interes të madh në rezultatin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, luftë që kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është thelbësore që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, ka deklaruar zëdhënësi i DASH-it.

Paralajmërimet e Zelenskyt erdhën gjatë një interviste me media afrikane. “Rusia, siç mund të shihni, është e përfshirë në “shpërthime” të ndryshme”- shtoi ai.

“Por jepini vëmendje Ballkanit. Më besoni, po marrim informata. Rusia ka një plan të gjatë. Lindjen e Mesme. Shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani. Të paktën, nëse vendet e botës, partnerët, nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një tjetër “shpërthim” të tillë dhe prapë, s’është tregim i ri. Është një krizë në marrëdhëniet e tyre dhe ka qenë për kohë të gjatë. Për këtë arsye, Rusia do të investojë për t’u siguruar që një shtet në Ballkan të jetë në luftë me një tjetër”- tha më tej presidenti Zelensky.

Sipas tij, Kremlini është i interesuar që shtetet e tjera të detyrohen të shpërndajnë ndihma në disa pika në të njëjtën kohë, jo vetëm në një, raporton faqja ukrainase e lajmeve, "Oboz.ua".

Ai e përmendi rastin që rusët po fillojnë ta minojnë situatën në Moldavi. “Më besoni, është e njëjta gjë”- tha Zelensky, duke pretenduar se Rusia dëshiron të tregojë se “diçka ishte gabim gjatë zgjedhjeve për ta rrëzuar qeverinë e tanishme pro-evropiane”.

Lajme të ngjashme