Çollaku: Vetëvendosja nuk ka kuadro për postin e kryeministrit
Bekim Çollaku, analist politik, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit, duke theksuar se partitë që përbëjnë Vetëvendosjen nuk kanë kapacitetin e nevojshëm për të udhëhequr vendin, sidomos në nivelin e kryeministrit.
Ai theksoi se periudha e drejtuar nga Kurti ka dështuar në shumë aspekte kyçe, veçanërisht në përmirësimin e ekonomisë dhe uljen e tensioneve me Serbinë.
Ai u shpreh se Vetëvendosja ka dështuar të ofrojë ndihmë konkrete për qytetarët dhe ka kontribuar vetëm në rritjen e frikës për një mundësi lufte me Serbinë.
”Vetëvendosja nuk ka kuadro për postin e kryeministrit. Së paku nga ajo çfarë kemi parë në këtë mandat qeverisës”.
”Ata përveç krizave të vazhdueshme politike, përveç narrativës se në Kosovë do të bëhet luftë çdo ditë, nuk kanë prodhuar diçka – nuk ka pasur rritje ekonomike, nuk ka pasur zhvillim ekonomik, nuk ka pasur rritje të pagave, nuk ka pasur rritje të mirëqenies. Ka pasur vetëm rritje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe rritje të frikës se Kosova do të ballafaqohet me një luftë, qoftë para vitit të ri apo pas vitit të ri”.
”Këto gabime janë të pafalshme, dhe zotëri Kurti do ta ketë të vështirë për t’i riparuar këto gabime”.
”S’mund ta gjykojmë Limajn se po i afrohet Kurtit për bashkëqeverisje. Nuk është fajtor ai. Përgjegjësia duhet kërkuar tek PDK, LDK e AAK se s’kanë arritur konsensus për postin e presidentit por ky është një kapitull tjetër”, tha ai në Rubikon.