Çitaku, VV-së: Shkelës serik të Kushtetutës
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se shkarkimi i Bordit të RTK-së në vitin 2021 ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Ajo ka akuzuar partinë në pushtet se vazhdimisht kanë bërë shkelje të Kushtetutës.
“Shkelës serik të Kushtetutës”, ka shkruar Çitaku.
Në kohen kur ishte shkarkuar ky bord në pushtet ishte Qeveria Kurti I.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i Kuvendit të Kosovës i marr më 8 korrik 2021 për ta shkarkuar Bordin e Radio Televizionit të Kosovës ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, Kushtetuesja sot ka treguar se shkarkimi i 8 anëtareve të bordi nuk ka qenë në përputhje me nenin 7 dhe nenin 67 të Kushtetutës.
“Në rastin KO 134/21, Gjykata ka vendosur njëzëri që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e Vendimit të kontestuar. Ndërsa, me pesë (5) vota për dhe dy (2) vota kundër, Gjykata ka vendosur të konstatojë që (i) Vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe (ii) konstatimi i lartcekur, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta”, është thënë në njoftimin e Kushtetueses.
Kuvendi i Kosovës më 8 korrik 2021 kishte shkarkuar Bordin e RTK-së të përbërë nga Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.