Çitaku: Sulmet e ulëta ndaj Musliut s'tregojnë vetëm panik, por edhe një vetëdije të mjerë politike
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku ka reaguar pas sulmeve ndaj deputetes së kësaj partie Ganimete Musliu, pas një fjale të saj në Kuvendin e Kosovës.
Në një reagim në Facebook, Çitaku tha se Musliu nuk bëri gjë tjetër veçse ushtroi të drejtën e saj kushtetuese për fjalën e lirë në Kuvend.
Çitaku e cilësoi si " të ulëta" sulmet ndaj Musliut, duke thënë se ky është tregues i "panikut dhe vetëdijes së mjerë politike".
Postimi:
Ganimete Musliu, deputete e zgjedhur e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk bëri as më shumë e as më pak, veçse e ushtroi të drejtën kushtetuese të fjalës në Kuvend.
Sulmet e ulëta ndaj saj nuk tregojnë vetëm panik, por edhe një vetëdije të mjerë politike.
Gjuha fyese dhe denigruese, mjet i përhershëm i Vetëvendosjes dhe eksponentëve të saj, synon të linçojë këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem.
Por PDK nuk i nënshtrohet askujt. Dhe kurrë nuk do t’i nënshtrohet.