Çitaku për shtrenjtimin e rrymës: Kjo nuk është më qeverisje – kjo është tallje me qytetarin
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar në lidhje rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se Kosova në vitin 2025, po bëhet vend ku jetesa po bëhet luks.
Duke folur për energjinë elektrike, Çitaku ka thënë se në çdo shtëpi ndjehet frika e faturës së ardhshme.
“Kosova, viti 2025 – vendi ku jetesa po bëhet luks! Rritje pas rritjeje! Çmimet e produkteve më elementare – vezë, bukë, perime, ujë – po arrijnë majat. Energjia elektrike? Është bërë barrë e papërballueshme. Në çdo shtëpi ndjehet frika e faturës së ardhshme.” – ka potencuar ajo.
Tutje Çitaku ka thënë se në krye të këtij realitetit të zymtë është një kastë qeverisëse e izoluar nga realiteti.
“Dhe në këtë realitet të zymtë, kush është në krye? Një kastë qeverisëse e izoluar nga realiteti. Jo vetëm e paaftë për të adresuar hallet e përditshme të qytetarëve, por edhe arrogante, shurdhe.
“Let them eat cake,” po thotë qeveria – me përbuzje, sikur po jetojmë në ndonjë pallat, jo në varfëri.
Kjo nuk është më qeverisje – kjo është tallje me qytetarin. Dhe durimi ka kufi. Ndryshimi nuk vjen duke heshtur.” – ka shkruar ajo.