Çitaku: PDK-ja kërkon president që qëndron mbi partitë dhe mbron Kushtetutën
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, gjatë paraqitjes në emisionin “Pressing” në T7, ka theksuar se PDK-ja synon që kreu i ri i shtetit të jetë figurë që mishëron unitetin qytetar dhe jo produkt i pazareve partiake.
Ajo shtoi se PDK përkrah një kandidaturë që gëzon mbështetje të gjerë në skenën politike dhe që ka integritet për të vepruar në mbrojtje të rendit kushtetues, përfshirë edhe atëherë kur sfidohet nga vetë Qeveria.
Sipas saj, vendit i nevojitet një personalitet që nuk identifikohet me një parti të caktuar, por që garanton respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ruajtjen e kohezionit shoqëror.
“Ne kërkojmë një president konsensual. Duhet të jetë në gjendje të reagojë dhe mbrojë rendin Kushtetues edhe në raport me Qeverinë…Kemi nevojë për një president që nuk i ka borxh politik asnjë partie politike."
“Ne kërkojmë të kemi marrëveshje konsensuale për një personalitet burrë ose grua që duhet të reflektojë unitetin qytetar, nuk do të jetë partiak dhe do të mbrojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi deputetja e PDK-së.