Çitaku: Pas sindikatës, Qeveria ia paska mësyrë Këshillit të Prindërve, po dëshiron t’i shuajë zërat mospajtues
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me deklarimet e Këshillit të Prindërve të Kosovës se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka shpallur zgjedhjet në mënyrë tëpaligjshme.
Çitaku ka thënë se pas sulmeve ndaj sindikatës së arsimit, qeveria tash “ia paska mësyer Këshillit të Prindërve”.
Sipas saj, këto përpjekje të pushtetin janë tentim për të shuar çdo zë mospajtues dhe secili është cak i sulmit.
“Pasi sulmuan brutalisht sindikatën e arsimit, Qeveria ia paska mësyer Këshillit të Prindërve. Tashmë është e qartë, qeveria dëshiron ta shuaj çdo zë mospajtues. Secili është cak sulmi, deri në thyerje apo nënshtrim. Mediat, bizneset, sindikatat, madje edhe KFOR-i. Çfarë marrëzije.” – ka shkruar ajo.
Më tej, ajo ka thënë se prirjet totalitare të Qeverisë Kurti janë të qarta.
“Prirjet totalitare tashmë janë të qarta. Këmbanat po bien, e indiferenca në këto situata nuk guxon të jetë përgjigje.” – përfundon reagimi i saj.
Ndryshe, Këshilli i Prindërve i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj ministres së Arsimit, Arbëri Nagavci për shpalljen e zgjedhjeve për Këshillin e Prindërve në gjithë Kosovën. Sipas tyre, ajo po tenton që të zgjedh me diktat.
Në reagimin e Këshillit të Prindërve thuhet se Nagavci ka urdhëruar që zgjedhjet të mbahen një vit pasi është zgjedhur kryesia e re, e që mandati i tyre është katërvjeçar.
Këshilli i Prindërve dyshon që Nagavci ka rishpallur zgjedhjet për shkak të pakënaqësive që ka ndaj qëndrimeve të këtij këshilli.
