Çitaku i reagon Gecit të VV-së: Kurrë s’do ta kisha besuar që në Kuvend do të bëheshin lutje të tilla për ata që luftuan për liri
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i ka reaguar Fatos Gecit të Lëvizjes Vetëvendosje pas deklaratës skandaloze ku krahasoi ish-presidentin Hashim Thaçi me kriminelin, Naim Murseli.
Çitaku ka thënë se nuk do ta besonte asnjëherë që në foltoren e Kuvendit do të bëheshin lutje të tilla për njerëzit që kanë luftuar për liri.
Ajo ka bërë thirrje nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga fjalimi i Gecit.
“S’po di qysh me të thanë, se me të thanë deputet, nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë, kryetare e Kuvendit, deputetë të nderuar, që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftu për lirinë e këtij vendi.
Ju duhet të ndiheni i turpëruar, dhe VV nëse nuk mendon si ju, mu tani ju ftoj juve si kryetare dhe shefen e grupit që të distancohet”, ka thënë ajo.