"U arrestua nga policët e Eulexit": Çitaku i quan gënjeshtra fjalët e Borellit për Hashim Thaçin
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar deklaratave të fundit të lehtësuesit të dialogut, Kosovë-Serbi, Josep Borell.
Çitaku i ka quajtur gënjeshtra, fjalët e Borrellit, duke theksuar se presidenti Thaçi në fakt pati dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, e se nuk u arrestua asnjëherë, por u vetëdorëzua.
Tutje, e dyta e PDK-së, ka theksuar faktin se Dhomat e Specializuara në Hagë, nuk janë mekanizëm i Bashkimit Evropian, por i Kosovës.
Krejt kjo sipas ish ambasadorës në ShBA, është dëshmi për politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, ndaj Thaçit e të tjerëve, duke u munduar të krijohet një balancë, ndërmjet viktimave dhe agresorit.
Çka tha Borell?
“Ne po formojmë ata që i quajmë mekanizma të veçantë për zgjidhjet e post-konflikteve. Po e përmend Kosovën. Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku ish-presidenti i Kosovës tani është në Amsterdam duke pritur për gjykimin. Misioni ynë i policisë në Kosovë ishte i ngarkuar për ta arrestuar atë derisa ishte në detyrë dhe për ta dërguar në Amsterdam për t’u përballur me drejtësinë”, ka thënë ai.
Postimi i plotë i Çitakut:
Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar!
Për më tepër, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës.
Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit.
