Çitaku akuzon Avni Deharin për arbitraritet dhe mungesë respekti - NACIONALE

Çitaku akuzon Avni Deharin për arbitraritet dhe mungesë respekti

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Nënryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj mënyrës së udhëheqjes së seancës së Kuvendit nga Kryesuesi Avni Dehari, duke e akuzuar atë për arbitraritet dhe mungesë respekti institucional.

Sipas saj, kërkesa e grupit parlamentar të PDK-së për një pauzë 10-minutëshe para votimit për deputetin Dimal Basha u refuzua pa arsye, pavarësisht se ishte, siç e quan ajo, një kërkesë legjitime. “Ne nuk votuam kundër, por abstenuam”, theksoi Çitaku.

Ajo publikoi edhe një video ku, sipas saj, dëshmohet se Kryesuesi jo vetëm që e ka dëgjuar qartë kërkesën e tyre, por gjithashtu ka përdorur gjuhë të papranueshme ndaj deputetes së re, Sala Jashari.

“Kryesuesi i Kuvendit, ashtu siç ka vepruar tash e gati pesë muaj, edhe sot udhëhoqi me arbitraritet – duke na e mohuar kërkesën krejtësisht legjitime për një konsultim 10-minutësh, para votimit për deputetin Dimal Basha – i cili edhe vetë dukej i befasuar nga ky propozim. Si pasojë, ne nuk votuam kundër, por abstenuam.

Në këtë video vërtetohet qartë, jo vetëm se Kryesuesi e ka dëgjuar dhe parë kërkesën tonë, por dëgjohet edhe gjuha e papranueshme që ai përdori ndaj deputetes më të re të Kuvendit, Sala Jashari, e cila insistonte për pauzën 10-minutëshe:

“Veç rri ti, veç rri. Edhe unë po i dëgjoj, sikur ti që i dëgjon”

Ky është realiteti i sotëm. Por, një qasje e tillë disrespektuese nuk është qasje që kërkon zgjidhje. Prandaj, e ftojmë Kryesuesin që të reflektojë dhe të udhëheqë Kuvendin me respekt, dialog dhe përgjegjësi institucionale – siç i takon.”

Lajme të ngjashme