Cilat tarifa u shpallën të paligjshme nga Gjykata e Lartë e ShBA-së, dhe pse?
Vendimi i Gjykatës së Lartë të ShBA-së për t'ia rrëzuar Presidentit Donal Trump tarfiat lidhet vetëm me tarifat që ai kishte miratuar sipas Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës.
Akti i jep presidentit fuqinë të rregullojë tregtinë në përgjigje të një emergjence.
Trump e thirri fillimisht aktin në shkurt 2025 për të taksuar mallrat nga Kina, Meksika dhe Kanadaja, duke thënë se trafikimi i fentanilit nga këto vende përbënte një emergjencë.
Disa muaj më vonë, në atë që Trump e quajti "Dita e Çlirimit", ai hodhi një hap shumë më të madh, duke vendosur detyrime midis 10% dhe 50% për mallrat nga pothuajse çdo vend i botës. Në këtë rast, deficiti tregtar i SHBA-së – ku SHBA importon më shumë sesa eksporton – përbënte një "kërcënim të jashtëzakonshëm dhe të pazakontë", sipas Trump.
Gjykata tha se Kongresi i ShBA-së, dhe jo presidenti, ka fuqinë për të krijuar taksa të reja dhe se rregullimi sipas IEEPA-s nuk përfshinte mbledhjen e të ardhurave.
Megjithatë, një numër tarifash që Trump ka vendosur gjatë vitit të fundit nuk ishin pjesë e emergjencave që ai shpalli sipas IEEPA-s dhe mund të mbeten në fuqi pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë.
Kjo përfshin tarifat specifike të industrisë për çelikun, aluminin, lëndën drusore dhe automjetet, të cilat Trump i vendosi sipas një ligji tjetër të SHBA-së, seksionit 232 të Aktit të Zgjerimit të Tregtisë të vitit 1962, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare.