Çifti pro Kremlinit largohet nga Gjermania, vendoset në Rusi - NACIONALE

Çifti pro Kremlinit largohet nga Gjermania, vendoset në Rusi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy aktivistë pro-rusë në Gjermani, lidhet e të cilëve me Kremlinin ishin zbuluar vitin e kaluar në një hulumtim të agjencisë “Reuters”, janë larguar nga Gjermania dhe janë vendosur në Rusi, tha përmes një deklarate të hënën avokati i çiftit.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Elena Kolbasnikova dhe partneri i saj, Max Schlund, kanë qenë aktivë në Gjermani, duke organizuar tubime pro Kremlinit për t’i bërë thirrje Berlinit që të heqë dorë nga mbështetja ushtarake për Kievin, raporton agjencia “Reuters”.

Shtëpia e çiftit në veriperëndim të Gjermanisë ishte bastisur në gushtin e kaluar nga prokurorët gjermanë pas një raporti të agjencisë “Reuters” se fonde të grumbulluara nga mbështetësit në Gjermani ishi përdorur për të blerë radio-lidhje, kufje dhe telefona për një divizion të ushtrisë ruse që është duke luftuar në Ukrainë.

Markus Beisicht, avokati i tyre, tha se dyshja është larguar nga Gjermania dhe tash për tash ndodhet në qytetin rus, Kaliningrad.

Të dy e kishin humbur punën, ishin nxjerrë nga banesa dhe ishin subjekt i hetimeve “të panumërta” kriminale në Gjermani, thuhet në deklaratën e avokatit.

“Ata thonë se nuk mund të jetojnë më në Gjermani si shtetas rusë për shkak të rusofobisë serioze” – shtoi avokati.

Lajme të ngjashme