Çështja e Zvërnecit, Rama reagon sërish: Pse Shqipëria të mos ketë Costa Navarinon e saj?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sërish ka reaguar për çështjen e Zvërnecit.
Mëngjesin e sotëm ai ka sjellë në vëmendje shembullin e projektit turistik Costa Navarino në Greqi, duke e cilësuar atë si dëshmi se projektet e mëdha zhvillimore mund të transformojnë një territor pa dëmtuar ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se edhe Costa Navarino ishte kundërshtuar fillimisht, por sot është një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Evropës.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë histori të vërtetë nga fqinjët tanë të jugut, ju uroj ditë të mbarë. Costa Navarino mund të quhet ndryshe historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk ëndërrojnë po paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve; nuk projektojnë po gjykojnë projektet e të tjerëve; nuk ndërtojnë po përgojojnë ata që ndërtojnë. Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë. Ndodhi në Greqi. Me Costa Navarinon. Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra. U tha se do të zhdukej biodiversiteti. U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë”, ka shkruar ai.