Çështja e dinarit, Pacolli: Kurti po bën drama të panevojshme, po hedh hi në sytë e njerëzve
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e dinarit.
Ai ka thënë se për këtë çështje i pari i qeveri ka bërë drama të panevojshme.
Pacolli ka vlerësuar se këto veprime nuk i sjellin asnjë përfitim Kosovës.
Sipas tij, nëse qeveria ka thënë se çështja e dinarit nuk do të diskutohet në Bruksel, nuk është dashur të dërgohet guvernatori i BQK-së në takim.
“Nuk ka pasur asnjë ecuri. Nëse merr qëndrimin se çështja e dinarit serb nuk do të diskutohet në dialog, siç ka thënë qeveria më parë, nuk dërgohet guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës në një takim me politikanë nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës dhe nga Serbia. Çka ka ndodhur është ajo që zakonisht ndodh në Kosovë: hidhet pluhuri në sytë e njerëzve duke thënë se nuk ka dialog për dinarin dhe dërgohet dikush që nuk njihet nga as 1000 vetë në Kosovë për të kuptuar se kush është guvernatori dhe cili është roli i tij. Pra, një proces dramash që nuk sjell asnjë përfitim për vendin”, ka thënë kryetari i AKR-së në një prononcim për “Front Online”.