Cakolli: VV pritet të shkojë në 53 mandate, gara PDK-LDK për mandatin e fundit mbetet shumë e ngushtë - NACIONALE

Cakolli: VV pritet të shkojë në 53 mandate, gara PDK-LDK për mandatin e fundit mbetet shumë e ngushtë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka thënë se shpërndarja e mandateve mes partive pritet të ndryshojë pas numërimit të votave të mbetura me postë.

Sipas tij, kur kanë mbetur edhe disa dhjetëra kuti të votave me postë për t’u numëruar, trendet aktuale tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje pritet të kalojë në 53 mandate.

“Me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik”, ka shkruar Cakolli.

Megjithatë, ai ka shtuar se ende mbetet e paqartë se cilës parti do t’i merret mandati që pritet t’i shtohet Vetëvendosjes.

Sipas Cakollit, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja mund të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Por, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, ai vlerëson se pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të.

Ai ka thënë se gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tejet e ngushtë, ndërsa dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet në më pak se 100 vota në fund të procesit.

Cakolli ka shtuar se mandati i fundit mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës. Sipas tij, kjo mund ta favorizojë lehtë PDK-në.

Lajme të ngjashme